Pas më shumë se 8 orëve debat është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Seanca është mbyllur pasi nuk pati korum për ta votuar rezolutën e LVV-së dhe LDK-së në lidhje me dialogun me Serbinë.
“Meqenëse i kemi vetëm 57 deputetë, do ta vazhdojmë seancën në një seancë tjetër”, tha Vjosa Osmani në fund.
Në këtë seancë, pati përplasje në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës në lidhje me mosunitetin e liderëve për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë ditës së djeshme senatori amerikan, David Perdue tha se nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shqyrtojnë praninë e trupave aty.
Këtë postim e ka shpërndarë edhe emisari special i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke konfirmuar se ky është edhe qëndrim zyrtar i SHBA-së si dhe djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr. /Gazeta Sinjali/