Ka përfunduar edhe xhiroja e shtatë në elitën e futbollit kosovar, shkruan Sinjali Sport.
Dy përballjet e sotme kanë përfunduar me rezultate të papritura.
Kampioni aktual, Prishtina, barazoi në “Fadil Vokrri” me Ulpianën me rezultat 1-1.
Bardhekaltërit ishin në disavantazh në kohën shtesë të pjesës së parë, pasi Ermir Rrezi hapi sfidën me golin e minutës së 47-të.
Nuk vonuan shumë në pjesë të dytë, vendasit barazuan me Leotrim Krasniqin, cili e konkretizoi me gol asistimin e Endrit Krasniqit.
Me këtë barazim, kryeqytetasit gjenden në pozitën e gjashtë me nëntë pikë, përderisa skuadra nga Lipjani me gjashtë pikë ndodhet në vendin e nëntë.
Befasia e ditës ndodhi në Klinë, ku ekipi i Dukagjinit e mposhti nënkampionën Dritën me përmbysje 2-1.
Mysafirët nga Gjilani startuan më mirë, pasi realizuan të parët me Almir Ajzerajn, i cili me një goditje të fuqishme kaloi në epërsi skuadrën në minutën e 39-të.
Mirëpo, vendasit filluan këndelljen në pjesën e dytë, ku menjëherë në 45 minutat e dytë arritën të korrin përmbysjen.
Sulmuesi, Ahemd Januzi, barazoi në të 49-ën minutë takimin me një gol me kokë.
Më pas, skuadra nikoqire mbeti pa një lojtar, sepse Elton Basriu mori karton të kuq, me ndihmën e VAR-it.
Sidoqoftë, kjo nuk ndikoi te skuadra e Dallkut, pasi në fund me Chibueze realizuan golin e fitores.
Kjo fitore është shume e rëndësishme për Dukagjinin, pasi që e ngrit në pozitën e tetë me gjashtë pikë, kurse Intelektualët me këtë humbje kanë 11 pikë në pozicionin e pestë. /Gazeta Sinjali Sporti/