image Mbyllen mbi 20 kafiteri në kryeqytet, gastronomët e quajnë “ofensivë” qasjen e institucioneve

Kosovë

Mbyllen mbi 20 kafiteri në kryeqytet, gastronomët e quajnë “ofensivë” qasjen e institucioneve

news image

Mbi 20 kafiteri janë mbyllur dy ditët e fundit në Prishtinë nga Inspektorati. Kjo me arsyetimin se nuk i kanë respektuar masat e hyra në fuqi për parandalim të pandemisë COVID-19. Shoqata e Gastronomëve e quan “ofensivë” qasjen e institucioneve ndaj këtij sektori. Sipas të njëjtës, 95 për qind e tyre plotësojnë kushtet për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Në dyert e shumë lokaleve në qytet, janë vendosur ndalesat për të punuar.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Veton Zuka thotë se kafiteritë e mbyllura kishin të njëjtin konstruksion të lokalit që nga e hëna kur janë masat në fuqi. Ai shton se ka paqartësi edhe në interpretimin e vendimit të fundit.

“Me të vërtetë është e pakuptimtë dhe nuk jemi duke e kuptuar as vet. Ka raste unë kam video që shumë lokale i plotësojnë krejt kushtet që kërkohen të punohet në ambient të jashtëm. Ambient i jashtëm është kur ke hapësirë dhe hapje edhe anash, hapje lartë dhe përpara. Nuk e di çfarë lypet më shumë se ajo hapësirë e hapur. Ka lokale që nuk kanë terasë hiç, ajo është gjithqysh për ty mbyllur. Kjo ofensivë edhe nga ana e inspektoratit edhe nga ana e policisë, mënyra qysh po i interpretohet, kanalizohen problemet, ka dallim shumë”, deklaron ai.

Zuka shton se kanë kërkuar takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, por që nuk janë marrë parasysh.

“Prej të hënës i kanë vizituar këto lokale edhe deri të enjten ju kanë thënë që janë në rregull me hapësirë të hapur. Dhe të enjten po vjen automatikisht me vendim që nuk i plotëson kushtet dhe je i mbyllur. Nuk e di ku është fundi, por kjo është e papranueshme. Ne i kemi kërkuar shumë opsione të tjera edhe ministrisë që të mund të funksionojmë”, shton Zuka për KosovaPress.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve thekson se ndalimi i veprimtarisë së këtyre kafiterive do të zgjas deri me datën 13, por që sipas tij nuk dihet çfarë do të ndodhë pas kësaj date.

“Prej 20 deri në 25 gjithqysh që dy netë, dhe ju garantoj që 95 për qind prej tyre i plotësojnë kushtet për hapësira. Ju garantoj që gjysma por edhe 95 për qind e lokaleve i plotësojnë kushtet për hapësirë të hapur, sepse i kanë terasat lëvizëse. Në moment që është lëvizëse ajo krijon hapësirë vetvetiu sepse janë të konstruktuara ashtu”, shprehet ai.

Nga e hëna kur kanë hyrë në fuqi këto masa, sektori i gastronomisë mund të punojë vetëm deri në orën 21:30 dhe atë vetëm në ambiente të hapura e duke e shfrytëzuar vetëm 50% të hapësirës.

/GazetaSinjali/