Një përplasje verbale ka ndodhur sot gjatë seancës së Kuvendit, ku kanë debatuar deputeti i VV-së, Ardian Gola, që është kryetar i Komisionit për Arsim dhe deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, e cila është anëtare në këtë komision.
Dumoshi e mori e fjalën pas kryetarit të Komisionit për Arsim, Ardian Gola i cili foli për mbarëvajtjen e mbledhjes së djeshme ku për raportim i pranishëm ishte Këshilli Grevist i BSPK-së. E ku herë pas herë pati tensione.
Me të marrë fjalën Dumoshi i është drejtuar Dimal Bashës apo ndonjërit prej anëtarëve të komisionit që vije nga radhët e VV-së me “mbylle gojën”, meqenëse nuk e lejonin ta përfundojë fjalimin e saj.
“Mbylle gojën se unë po flas tani dil ti, epo unë të thashë qetash ty mbylle gojën. Eh qaq” , u shpreh ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola.
“Unë mundem me iu thënë kështu: Dje, në komisionin parlamentar për Arsim, kryetari i këtij komisioni, së bashku me profesorin Jahja Kokaj, deputetet Albena Reshitaj, Arjeta Fejza e Arjeta Rexhepi kanë qenë në nivelin më të mirë profesional të diskutimit… Ajo që ka eskalu me Dimalin është tjetër, tash unë po e sfidoj publikisht Vlora Dumoshin dhe po i ndihmoj çdokush që mundet me gjet në diskutimin e djeshëm të krejt mazhorancës, përfshirë edhe Albena Reshitaj, nëse vetëm një sekuencë, një sekond e gjen ku është përdorur gjuhë me të cilën sindikata është ndi e kërcënume, e ofendume, publikisht kam me dhënë dorëheqje”, tha Gola.
Pas tij vazhdoi Dumoshi me kundërreplikë.
“I nderuari kryetar po më vjen keq për frustimin tënd, unë cdo respekt për ju e kam pasë gjatë të gjitha takimeve të Komisionit për Arsim dhe Kulturë sepse detyrë e jona është më dhënë kontribut”.
Më pas, derisa po fliste për takimin e djeshëm, Dumoshi iu drejtua dikujt me “Mbylle gojën, se unë po flas, tani dil ti”.
“Kryetar a nuk është kërcënim nëse i thu kryetarit të Sindikatave mos e përmend kryeministrin në takim?”, tha Dumoshi, e cila vazhdoi të fliste edhe pse i mbaroi koha.
Pas kësaj ka filluar zhurma në sallën e Kuvendit dhe Vlora Dumoshi është ulur tek ulësja e saj.