Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke u mbajtur seanca e radhës mbi ecurinë e rastit të ish-krerëve të UÇK-së. Në këtë seancë, mbrojtja e tyre ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Mishetiq, tha se prokuroria duhet t’ua dorëzojë këtë listë, në mënyrë që mbrojtja të përgatitet për gjykim.
“Për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë deklaratë dhe mendoj se ata do të dëshmojnë. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha ai.
Mendim të njëjtë me avokatin e Thaçit, pati edhe mbrojtësi ligjor i Rexhep Selimit, David Young, si dhe avokatët e Veselit dhe Krasniqit.
“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i z. Thaçi”, tha Nick Kaufman, avokati i ish-kryeparlamentarit.
Mirëpo, kjo kërkesë e mbrojtjes u cilësua se është “jashtë kontekstit”.
“Kjo kërkesë nga mbrojtja është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”, tha njëra nga prokuroret.
“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është element që duket se mbrojtja e ka marrë në një çështje të paraqitur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, tha ajo.
Sipas saj, prokuroria do t’i nxjerrë materialet e dëshmitarëve të cilat do t’i përdor në gjykim.
Në kundërpërgjigje, avokati Luka Mishetiq tha se “Nuk shoh asnjë arsye se pse e kanë kaq të vështirë Prokuroria ta bëjë këtë (listën).
“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por ato nuk na tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na japin një arsye të fortë se pse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, tha avokati amerikano-kroat./Gazeta Sinjali/