image Mbi 80 mijë persona kërkuan punë në vitin 2021 në Kosovë

Sociale

Mbi 80 mijë persona kërkuan punë në vitin 2021 në Kosovë

news image

Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, Drin Haraçia, tha se numri i përgjithshëm i punëkërkuesëve të regjistruar deri në fundin e vitit 2021 ishte rreth 82 mijë persona.

Sipas tij, prej tyre 38 mijë janë femra ndërsa 43 mijë janë meshkuj, duke sqaruar se 8 372 persona janë regjistruar për herë të parë si punëkërkues.

“Nga rreth 82 mijë persona që janë të regjistruar si të pa punë, prej tyre 38 mijë janë femra ndërsa 43 mijë janë meshkuj. Ndërsa ata të regjistruar për herë të parë gjatë vitit 2021 është 8 372 persona të cilët janë regjistruar për herë të parë si punëkërkues në kuadër të zyrave të punësimit. 4 616 femra, ndërsa meshkuj 3 758”.

Sipas tij, gjatë vitit 2020 ka pasur një rritje të madhe të numrit të punëkërkueseve e që arsyeja kryesore ka qenë përfitimi nga Pako Emergjente të Qeverisë për përkrahjen e këtyre kategorive si pasojë e Covid-19.

Ai theksoi se kërkesa për punë ka më shumë në shërbime të shitjes, profesionistë, teknikët dhe bashkëpunëtorët profesional, por edhe sektorin e teknologjisë informative.

“Në 2020 kemi pasur mbi 90 mijë punëkërkues të regjistruar. Në ARPK, të papunë më shumë ka më shumë në profesionet elementare, si të zejes dhe profesioneve të ngjashme, punëtorët për shitje, bashkëpunëtorët profesional etj. Ne kemi më shumë kërkesa nga bizneset për profilet të cilat kanë të bëjnë me sektorin e teknologjisë informative”.

Haraçia ka sqaruar se i përkrahin bizneset me programe në kuadër të masave aktive të tregut të punës.

“Në kuadër të bashkëpunimit në sektorin privat me bizneset kryesisht ne i përkrahim në kuadër të masave aktive të tregut të punës. Subvencionimi i pagave, një program që subvencionohet për 12 muaj një punëkërkues, ka mundësi të përkrahet nga biznesi dhe nga agjencia në këtë rast”.

“Ku pagesa e tij është 50/50 deri në një shumë të caktuar. Kemi trajnime në punë 3 deri në 6 muaj, ku një punëkërkues mund të shkojë te një biznes dhe aty është me pagesë 4 muaj ka raste kur paguhet prej anës tonë, ndërsa 2 muaj prej bizneseve dhe kemi trajnime në punë apo praktikë në punë”.

“Dikush mund të ndjek kursin e trajnimit profesional edhe nëse është i punësuar. Domethënë njihet aftësimi dhe riaftësimi profesional dhe në këtë rast kemi bashkëpunimin me bizneset ku dërgohen punëkërkuesit që ndjekin trajnime të ndryshme. Vetëm vitin e kaluar, marr parasysh situatën me pandemike përkrahëm mbi 3 mijë punëkërkues te bizneset sa i përket programit të subvencionimit të pagave dhe praktikës në punë”.

Sipas tij, Agjencia është ofrues publik i shërbimeve të punësimit që ka për qëllim administrimin e tregut të punës dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe të aftësimit profesional, raporton EO.

Kurse sa i përket shërbimeve që ofrohen për punëdhënësit, Haraçia tha se në këtë rast kanë të bëjnë me regjistrimin, shpalljen e vendeve të lira të punës, ndërmjetësime në shërbimet për masa aktive etj.

/GazetaSinjali/