image Mbi 700 fëmijë të infektuar me Covid-19 në Kosovë

Shëndetësi

Mbi 700 fëmijë të infektuar me Covid-19 në Kosovë

news image

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duhet të respektohen në përpikëri.

Shkollat do të hapen këtë të hënë, mirëpo, ka gjasë që jo të gjithë nxënësit do të kenë mundësinë të rikthehen menjëherë nëpër bankat shkollore.

Kjo pasi që në mesin e tyre ka edhe të infektuar me virusin korona.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë regjistruar 334 raste me COVID-19 te fëmijët deri në moshën nëntë (9) vjeçare.

Ndërkohë 493 raste pozitive janë paraqitur te grupmoshat nga 10 deri në 19 vjet.

Sipas mikrobiologut Lul Rakës, rreziku i përhapjes së virusit me hapjen e shkollave ekziston, mirëpo pikërisht ky fakt duhet t’i aktivizojë të gjithë.

Por gjasat për t’u infektuar shtohen edhe për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër klasa, raporton T7.

Sipas Rinor Qehajës nga Instituti Edguard në Kosovë ka shkolla ku numri i nxënësve për klasë kalon shifrën 40.

Ndërkohë mungesa eventuale e nxënësve në shkollë, të cilët janë  të infektuar me COVID-19 mund të ndikojë negativisht në mësimnxënie.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës një ditë më parë ka njoftuar se procesi mësimor do të fillojë në dy faza, një pjesë e nxënësve do të fillojnë mësimin më 14, e të tjerët më 21 shtator./Gazeta Sinjali/