image Mbi 60 për qind e punëtorëve të sektorit privat janë pa kontrata pune

Sociale

Mbi 60 për qind e punëtorëve të sektorit privat janë pa kontrata pune

news image

Mbi 60% e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë janë pa kontrata pune.

Këtë e bëri të ditur Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai në një konferencë për medie, deklaroi se sindikata dhe punëtorët e sektorit privat janë të mllefosur me punën e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke shtuar se punëtorët e sektorit privat po punojnë për një pagë prej 170 euro, e që sipas tij shumica prej tyre janë duke lëshuar vendin.

“Sindikata është e mllefosur me formën dhe vazhdën e punimeve te institucionet shtetërore të Kosovës, pasi që qeveria e Kosovës bëri pagesën e rrymës për popullatën e serbëve në veri, andaj ka krijuar një mllef të madh që ne nuk e kemi pasur borxh”, tha ai.

Përkundër rritjes ekonomike që po thotë Qeveria, ai thotë se përse nuk po ndodhë edhe rritja e pagës minimale.

“Qeveria po thotë se kemi rritje ekonomike prej 7%, por neve nuk na intereson. Neve na intereson se përse nuk kemi rritje të pagës prej 170 euro dhe deri kur ne duhet të punojmë për serbët dhe për sektorin publik”, u shpreh ai.

“Nga mos kontrollet e inspektoratit kemi grupime të mëdha të punëtoreve të paregjistruar dhe janë duke kryer shërbime pa asnjë licencim dhe mbi 60% e punëtorëve që punësojnë në Kosovë janë pa kontrata të punës”, theksoi Azemi.

/GazetaSinjali/