Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione është takuar me përfaqësuesit e Inspektoratit të Punës dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për të diskutuar lidhur me çështjen e moszbatueshmërisë së Ligjit për Mbrojtjen dhe diskriminim.
Në këtë komision u kërkua të dihet për numrin e ankesave që janë bërë në Inspektorat.
Kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, tha se Ligji në tërësi nuk është duke u implementuar, duke shtuar se mbi 90 për qind e grave ngacmohen seksualisht në punë.
“Ne si komision mendojmë se ligji nuk është duke u implementuar si duhet. Sa ankesa keni pasur. Sa inspektor janë aktiv. 90 për qind e grave ngacmohen seksualisht. Edhe me ndryshu ligjin çka duhet të bëjmë se janë raste të përditshme në Kosovë. “Gratë janë duke pritur para Kuvendit dhe është gjendje alarmante”, tha ajo.
E Agim Millaku, u.d i drejtorit të Inspektoratit të Punës ka thënë se mbi 5 mijë raste për diskriminim janë trajtuar nga inspektorati i punës, ndërsa 36 inspektorë janë në tërë Kosovën.
Ai ka deklaruar se ata kanë shqiptuar 281 gjoba.
“Sa e ndjeshme është edhe problematike kjo çështje. Në raportet nga tereni nuk e kam ndonjë rast si rast diskriminimi. Pala e ka ditur që në momentin që skadohet kontrata përfundon marrëdhënia në punë. Mbi 1000 ankesa kemi pasur për realizimin e të drejtave që janë lajmëruar që janë të trajtuara. 5000 raste janë trajtuar nga Inspektorati i Punës. 36 inspektorë janë në tërë Kosovën. Secila palë që është e diskriminuar duhet të bëjë ankesë te punëdhënësi dhe ai brenda 15 ditëve duhet ta nxjerrë vendimin”, u shpreh Millaku.
Anita Alaj-Kalanderi, drejtoreshë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, tha se misioni i tyre është ofrimi i shërbimeve për qytetarët të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë avokat.
“Për shkak të shtatzënisë thotë se më është ndalë puna dhe aty ka diskriminim. Prandaj është institucioni që ka themeluar Kuvendi. Kemi pasur 1 mijë e 500 raste që kemi trajtuar. Ne përgatisim një padi dhe e dërgojmë te organet kompetente. Në 34 komuna funksionojmë. Ne kryejmë vetëm fazën e parë. Megjithatë ju garantojmë se lënda dhe përfaqësimi do të jetë i denjë”, ka shtuar ai, raporton EO.
Beshir Islami, Kryesues i Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, tha se ankesat kryesisht vijnë nga gratë shtatzëna nga sektori privat.
“Në agjenci kemi të bëjmë me zbatimin selektimin në konkurs, duke shtuar se ankesat më të mëdha janë nga gratë shtatzëna. Te ne në agjenci vijnë ankesa për shtatzëni në sektorin privat, parti politike, nepotizëm. Dallon shpifja dhe ngacmimi seksual. Prokuroria duhet të bëjë rolin e vet të pazëvendësueshëm”, tha Islami.