image Mbi 4,200 punëtorë të arsimit me COVID-19, në shkolla nuk ka maska e dezinfektues

Arsim

Mbi 4,200 punëtorë të arsimit me COVID-19, në shkolla nuk ka maska e dezinfektues

news image

Mbi 4 mijë e 200 punëtorë të arsimit janë infektuar me virusin COVID-19, që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë. Ndërkohë, shpeshherë ka mungesë të maskave dhe dezinfektuesve nëpër shkolla.

Kështu ka thënë përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka folur edhe për marrëveshjet e fundit, siç është marrëveshja kolektive, si dhe ajo me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

Për këtë të fundit, ka thënë se është vetëm marrëveshje gojore.

Gjysmëvjetori i dytë i këtij viti shkollor në nivelin fillor dhe të mesëm ka filluar më 18 janar. Nga kjo ditë, shumë nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar duke ndodhur kështu dhe mungesa e tyre në mësim.

Ymeri tha se frikësohen se rritja e numrit të infektuarve gjatë ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, gjë që mund ta dërgojë ndonjë shkollë te varianti C.

Ai vlerëson se ky variant është më pak frytdhënës sesa variantet e tjera. Andaj, shpreson që mësimdhënësit dhe nxënësit të ruajnë distancën, të vendosin maskat dhe të përdorin dezinfektues.

“Kemi mbi 4 mijë e 200 (të infektuar), kemi frikë që rritja e numrit të infektuarve ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor dhe kjo mund ta çojë ndonjë shkollë te varianti C, pra te mësimi online”, tha ai.

Ndonëse, Ministria e Arsimit kishte ndarë buxhet për mjetet higjienike dhe për pagesat shtesë, Ymeri thotë se nëpër shkolla sërish ka mungesa të maskave dhe shumë shpesh edhe të dezinfektuesve.

“Jemi të zhgënjyer në Drejtoritë Komunale të Arsimit, kanë pasur një buxhet të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Arsimit, edhe për mjetet higjienike por edhe për pagesat shtesë të mësimdhënësve që mbajnë orë përtej normave.”

“Nuk e kanë shfrytëzuar asnjërën, shpeshherë ka mungesë të maskave nëpër shkolla, ashtu qysh e parasheh Instituti i Shëndetësisë, shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve i përdorin maskat e veta, dezinfektues shumicën e rasteve ka nëpër shkolla, por kemi edhe raste kur nuk ka”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjes kolektive të nënshkruar mes kësaj sindikate dhe Ministrisë së Arsimit, ai tha se është në procedurë të shtypjes. Sipas tij, arsyeja e mospublikimit të marrëveshjes është bërë për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore.

“Kemi dy lloje të marrëveshjes. Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive që e kemi me Ministrinë e Arsimit. Kontrata është marrë nga Ministria e Arsimit dhe është në procedurë e shtypjes.”

Ai thotë se është pothuajse e njëjta kontratë, vetëm me disa përfitime shtesë për të punësuarit, siç është paga e 13-të, e cila Ymeri thotë se është e lidhur me performancën e mësimdhënësve.

“Kryetarët e shoqatave sindikale i kanë nga dy orë më pak se sa që e parasheh norma me qëllim që të bëjnë aktivitet sindikal brenda javës, për t’i sensibilizuar punëtorët e arsimit dhe nxënësit të punojnë me shumë”, tha përfaqësuesi i SBASHK-ut.

Ndërsa pjesa e dytë e marrëveshjes, Ymeri thotë se është gojore.

“Nuk e kemi të nënshkruar me kryeministrin në detyrë për shtesa në paga, e cila përmban kërkesën tonë në shumë prej 300 euro që e kemi pas për tetor, nëntor, dhjetor. Jemi dakorduar me nda në dy pjesë, pjesa e parë me pagat e muajit shkurt dhe pjesa e dytë në muajin maj”, tha ai.

Në fund Ymeri tha se SBASHK pret nga Qeveria e re që të jetësojë marrëveshjet që ata kanë me Ministrinë e Arsimit.

“Ne presim marrëveshjet dhe obligimet që i merr Qeveria e Kosovës, qeveria tjetër që vjen t’i vazhdojë këto marrëveshje. Kemi bindjen e plotë se do të gjejmë mirëkuptim, gjithmonë në interes të punëtorëve arsimorë dhe në interes së ngritjes cilësisë dhe të mbarëvajtjes së mësimit. Presim të jetësohet edhe pjesa e dytë e marrëveshjes në muajin maj”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/