Në vitin 2020 morën leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Evropian 37 mijë e 592 shtetas shqiptarë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat.
52% prej tyre morën leje qëndrimi për arsye familjare, 16% për punë, 3% për edukim dhe më pas renditen arsye të tjera, pa u specifikuar.
Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë ka rënë me 38%, i ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia.
Në rajon, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna për vitin 2020 e mban Serbia, me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë) e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë).
Sipas Eurostat, në vitin 2020, Bashkimi Evropian dha rreth 2.2 milionë leje qëndrimi për herë të parë për qytetarët jo-BE. Numri u ul me 24% (ose -706 000) në krahasim me vitin 2019, rënia e parë në trendin rritës të vërejtur midis 2013 dhe 2020.
Rënia erdhi kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kufizimeve të lidhura me udhëtimin dhe reduktimin e aktivitetit të administratës, i vendosur nga autoritetet kombëtare./GazetaSinjali/