image Mbi 35 mijë vaksina nga SHBA-ja, Kosnett zotohet për të tjera

Kosovë

Mbi 35 mijë vaksina nga SHBA-ja, Kosnett zotohet për të tjera

news image

Në Kosovë ka arritur donacioni i parë prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër COVID-19, të cilat janë dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i ShBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të SHBA-ve për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.

Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën.

“Sa më shumë vaksina është forma e shpëtimit, kudo në botë dhe këto vaksina janë ndihmë për të përballuar me lehtë këtë pandemi. Vaksinimi funksionon vetëm nëse njerëzit vendosin të vaksinohen, vaksina të tjera do të vijnë”, tha Kosnett.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60 për qind e popullatës.

Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e ShBA-së për ta luftuar Covid-19, raporton EO.

“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”.

“Me ritmin e vaksinimit dozat e pranuar sot do të administrohen brenda një dite e gjysmë, deri tash janë dhënë mbi 600 mijë vaksina. Brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës. Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”

Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulricke Richardson ka pohuar se tashmë varianti Delta po përhapet shpejtë dhe se mënyra më e mirë është vaksinimi për mbrojtje nga pandemia.

/Gazeta Sinjali/