image Mbi 330 mijë euro gjoba të papaguara, PZAP ‘kërcënon’ partitë se do t’i çojë te përmbaruesi privat

Kosovë

Zgjedhjet/ Mbi 330 mijë euro gjoba të papaguara, PZAP ‘kërcënon’ partitë se do t’i çojë te përmbaruesi privat

news image

Po bëhen gati dy muaj nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, por partitë politike të cilat garuan në këto zgjedhje ende nuk i kanë paguar gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkeljet e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore.

Kryesuesi i sekretariatit në PZAP, Mulë Desku, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se shuma e gjobave të papaguara nga partitë politike është 331 mijë e 900 euro nga  360 mijë sa ishte gjithsej shuma e gjobave të shqiptuara nga ky panel.

Vetëm 28 mijë e 800 euro gjoba janë paguar nga shifra e përgjithshme. 25 mijë e 900 janë paguar nga PDK-ja nga shuma prej 100 mijë e 100 euro sa ishte dënuar kjo parti, duke e zvogëluar kështu borxhin në 74 mijë e 200 euro. 2 mijë e 200 euro të tjera janë paguar nga partitë e komuniteteve pakicë, respektivisht 1 mijë e 100 euro nga Partia e komunitetit goran (Pokret Za Gora) dhe 1 mijë e 100 euro të tjera nga Partia Liberale Egjiptiane.

Në listën e partive të cilat ende nuk e kanë paguar asnjë gjobë prinë koalicioni AAK-PSD me gjithsej 89 mijë e 600 euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 74 mijë e 850 euro, pastaj Lista Serbe me 36 mijë e 500 euro, Lëvizja Vetëvendosje me 14 mijë e 100 dhe partitë e tjera të vogla me 8 mijë e 750 euro.

Gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, janë:

1.LDK  = 74,850.00 euro, nuk ka paguar

2.PDK   = 100,100.00 euro, ka paguar 25,900.00 euro, nuk ka paguar 74,200.00 euro

3. LVV + 14,100.00 euro, nuk ka paguar

4. Lista Serbe = 36,500.00 euro, nuk ka paguar

5. Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro, nuk ka paguar

6. Koalicioni Nisma- AKR- PD = 33,900.00 euro, nuk ka paguar

7. PREBK = 250.00 euro, nuk ka paguar

8. IRDK Lendrit Qeli   = 1,200.00 euro, nuk ka paguar

9. Koalicioni Sloboda  = 5,100.00 euro, nuk ka paguar

10. PLE  = 1,100.00 euro, ka paguar

11. VAKAT  = 1,100.00 euro, nuk ka paguar

12. KDTP = 1,100.00 euro, nuk ka paguar

13. PG  = 1,100.00 euro. ka paguar

Në bazë të vendimit për shqiptimin e gjobave, PZAP parasheh 15 ditë afat për pagesën e gjobës. Meqenëse afati i rregullt ka përfunduar, Mulë Desku thotë se ky panel do të pres reflektim nga ana e partive politike pas përfundimit të procesit zgjedhor për t’i paguar gjobat, në të kundërtën paralajmëron inicim të procedurës së përmbarimit me zyrën e përmbaruesit privat.

“Tani jemi në përfundim të procesit zgjedhor dhe jemi në pritje të reflektimit të subjekteve politike për t’i paguar gjobat, ashtu siç kanë filluar disa subjekte politike. Pas perëndimit të procesit zgjedhor, subjektet politike do t’i paralajmërojmë për t’i paguar gjobat, nëse nuk i paguajnë gjobat do të iniciojmë procedurën e përmbarimit me zyrën e përmbaruesit privat”, deklaroi Desku./Gazeta Sinjali/