image Mbi 30 persona vdiqën nga COVID-19 këtë javë në Kosovë dhe u infektuan më shumë se 2 mijë të tjerë

Shëndetësi

Mbi 30 persona vdiqën nga COVID-19 këtë javë në Kosovë dhe u infektuan më shumë se 2 mijë të tjerë

news image

Pesë persona të cilët ishin të infektuar me COVID-19 ndërruan jetë gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, raportoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo shifër e çoi në 33 numrin e personave që vdiqën këtë javë si pasojë e infektimit me koronavirus, ndërkaq në 1 mijë e 410 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga ky virus që nga fillimi i pandemisë.

Pacienti më i ri që vdiq gjatë kësaj jave ishte një 47-vjeçar nga Malisheva, vdekja e të cilit nga IKSHPK u raportua më 15 janar.

Ndërkohë, personi më i moshuar që ndërroi jetë këtë javë nga COVID-19 ishte një 89-vjeçar nga Suhareka, për vdekjen e të cilit IKSHPK njoftoi të enjten.

Kurse, sa u përket rasteve të reja, nga e hëna deri të dielën, u regjistruan gjithsej 2 mijë e 75 raste të reja me koronavirus, çka e çoi në 55 mijë e 851 numrin e përgjithshëm të rasteve pozitive në Kosovë.

Në anën tjetër, gjatë kësaj jave, u shëruan 3 mijë e 10 pacientë të cilët ishin të prekur me koronavirus, duke bërë kështu që numri i të shëruarve nga ky virus të arrijë në 49 mijë e 269 raste.

Momentalisht, numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend është 5 mijë e 172./Gazeta Sinjali/