Ka kaluar në mbi 2 mijë numri i qytetarëve të besimit islam të cilët po kërkojnë nga Bashksia Islame e Kosovës rihapjen e xhamive në vend, shkruan Gazeta Sinjali.
Janë saktësisht 2,250 besimtarë deri tani të cilët e kanë nënshkruar një peticion që u publikua mbrëmë në rrjetet sociale.
Kërkesa e tyre erdhi pas panifikimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e rifillimit të punës për disa veprimtari ekonomike të cilat, sipas organizatorëve të këtij peticioni, nuk kanë asnjë ndryshim me aktivitetin e faljes kolektive në xhami.
“Kjo do të thotë se ekspertët e Institucioneve Shëndetësore në vend janë shprehur për mundësinë e kryerjes së këtyre aktiviteteve ekonomike (berberët, parukieret, dentistët, bar-kafetë dhe restorantet), duke respektuar protokollet e nevojshme, e për rrjedhojë e njëjta masë vlerësimi vlen edhe për aktivitetin e kryerjes së faljeve kolektive në xhami, pasi ky aktivitet nuk ka asnjë ndryshim nga aktivitetet e lejuara, madje mund të ofrojë më shumë garanci për respektimin e protokolleve të ruajtjes dhe distancimit fizik”, thuhet në kërkesën e tyre.
Hapjen e xhamive, besimtarët muslimanë e konsiderojnë të mundshme në këtë situatë, madje edhe të vonuar.
“Në të njëjtën fashë orare në të cilën njerëzit janë lejuar të dalin lirshëm për punë, shëtitje, ajrosje, ecje, etj, të gjitha të konsideruara të domosdoshme për shëndetin fiziko-shpirtëror të individit, dhe të pranueshme si të sigurta në kushtet aktuale të gjendjes së pandemisë, është plotësisht e mundshme, madje e vonuar, një hapje graduale e xhamive, përgjatë të njëjtës fashë orare të daljes, duke vendosur rregulla strikte të distancimit fizik për faljet në grup”.
Kujtojmë që mbyllja e xhamive u bë më 14 mars të këtij viti, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit. /Gazeta Sinjali/