Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se 154 zyrtarë policorë deri më tani janë infektuar me koronavirus.
Nga 154 të infektuarit, 77 prej tyre janë shëruar, teksa 76 policë janë ende të infektuar si raste aktive dhe janë duke u trajtuar edhe më tutje.
“Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, 154 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre janë shëruar 77 zyrtarë policorë, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtarë policorë”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, policia njofton se të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë marrë në koordinim të plotë me institucionet e shëndetësisë.
Ata kanë njoftuar se përveç masave mbrojtëse ndaj qytetarëve, kanë vendosur edhe ndaj vet zyrtarëve policorë.
“Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante. Kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët por edhe për vet zyrtarët policor, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të natyrave të ndryshme si reagues të parë”, njofton policia.
Ndërkaq, mbrëmë Gazeta Sinjali ka njoftuar për vdekjen nga koronavirusi të zyrtarit policor Ilir Gjoka./ Gazeta Sinjali/