image Mbi 10 persona paraqiten në QKMF-në e Krushës, pas njoftimit se dy tregtarë janë infektuar me Covid-19

Kosovë

Paniku/ Mbi 10 persona paraqiten në QKMF-në e Krushës, pas njoftimit se dy tregtarë janë infektuar me Covid-19

news image

Banorët e fshatit Krushë e Madhe sot janë alarmuar nga autoritetet policore pasi që gjatë së premtes në këtë fshat kanë dalë për pazar dy persona nga Malisheva të cilët më pas kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Kryetari i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, deklaroi se dy të prekurit me koronavirus kanë shitur fidane, ndërsa i ka lutur të gjithë qytetarët që kanë pasur kontakte me të njëjtit të paraqiten në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti” në Krushë për këshilla se çfarë duhet të bëjnë.

Ai tha se banorët janë të shqetësuar, ndërsa po bëhet përpjekje që të identifikohen të gjithë personat që kanë blerë nga këta dy tregtarë.

“Sot në mëngjes Policia e Kosovës, stacioni i Rahovecit, më kanë njoftuar për situatën në fjalë, ku të premten dy qytetarë paskan qenë në Krushë për të tregtuar fidane dhe është ngritur alarmi nga policia pasi që të dy kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në bazë të analizave të Institutit të Shëndetit Publik. Fatkeqësisht sot jemi në një formë paniku këtu në fshat, por të gjithë po përpiqemi bashkë të identifikojmë të gjithë ata qytetarë që kanë blerë fidane dhe iu kemi rekomanduar që të gjithë të shkojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Krushë, të konsultohen me doktorët atje, me stafin dhe më pas nga aty të marrin rekomandime se çfarë të bëhet tutje, gjegjësisht të futen në vetizolim me qëllim që të mos jemi shkaktarë të shpërndarjes së këtij virusi”, deklaroi Hoti.

Ai u shpreh se në bazë të të dhënave të policisë, dy tregtarët nga Malisheva kanë qëndruar në fshat për rreth dy orë dhe më pas janë larguar.

Tutje, ai shtoi se deri më tani janë lajmëruar mbi dhjetë qytetarë të cilët kanë pohuar se kanë pasur kontakt me dy të prekurit me Covid-19.

“Sipas policisë na thanë se rreth dy orë kanë qëndruar këtu dhe gjerë më tani kanë rezultuar mbi dhjetë qytetarë që kanë pasur kontakt me ta duke bërë blerjen e fidanëve. Më pas ata janë larguar nga këtu. […]Për gjysme orë u lajmëruan diku afër 10 qytetarë që në mënyrë vullnetare deklaruan se do të shkojnë të doktorët dhe të këshillohen se çfarë duhet të bëjnë”, vijoi Hoti.

Hoti tha se është një situatë e vështirë pasi kjo periudhë është e mbjelljeve pranverore dhe pavarësisht rekomandimeve se si duhet të bëhet ky proces, kontakti mes banorëve ka ekzistuar.

Ai tha se shpreson që gjatë ditës të identifikohen të gjithë personat e mundshëm që kanë pasur kontakt me tregtarët./GazetaSinjali/