Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në total numri i rasteve aktive i pacientëve me COVID-19 është 10 mijë e 183, shkruan Gazeta Sinjali.
Dje, është shënuar numër rekord i infektimeve, ku për 24 orët e fundit me virusin COVID-19 kanë rezultuar pozitiv 1 mijë e 764 pacientë.
Si pasojë e rritjes së numrit të infektuarve me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dot do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës masa të reja për luftim të pandemisë.
Vitia ka thënë se kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasojë e organizimeve në ambiente të mbyllura.
Ai ka thënë se vaksinimi është zgjidhja më e sigurt për luftim të pandemisë dhe se ditët e fundit është rritur interesimi për imunizim.
Kufizimet e reja
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës njoftoi se pas takimit me ministrin Vitia është kuptuar se Qeverisë do t’i propozohet se nga 20 gushti, sallat për organizim të ahengjeve dhe dasmave do të mund të punojnë deri në orën 22:30 dhe me kapacitet deri në 150 persona.
Edhe kafeteritë do të mund të punojnë me të njëjtën orar, derisa klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator të këtij viti.
Më 12 gusht, Qeveria ka miratuar disa masa tjera me qëllim të luftimit të pandemisë.
Sipas vendimit të asaj date, nga data 20 gusht, dëshmia për vaksinim do të jetë e domosdoshme për të fituar qasje në një mori ambientesh të brendshme.
Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.
Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.
Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.
Ndryshe, deri tani të shëruar nga ky virus janë 106.278 persona, ndërkaq nga fillimi i pandemisë gjithsej 2,291 persona kanë humbur jetën.
Në të gjitha qytetet e Kosovës deri tani janë dhënë 601 mijë e 701 doza të vaksinës.
Me dozën e dytë, deri më sot, kanë arrit të vaksinohen 213 mijë e 279 qytetarë.
Gjithashtu, dje, Kosova ka ndryshuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 duke lejuar edhe personat nën 18 vjeç të imunizohen kundër koronavirusit.
Sipas vendimit të ri do të lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.