image Mbi 10 mijë mërgimtarë me të drejtë vote në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Mbi 10 mijë mërgimtarë me të drejtë vote në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale

news image

Rreth 15 mijë e 530 persona në rundin e parë të zgjedhjeve e kanë pasur të drejtë vote përmes postës nga diaspora.

Kurse në rundin e dytë këto zgjedhje mbahen në një numër të caktuar të komunave dhe si rrjedhojë edhe numri i mërgimtarëve me të drejtë vote do të jetë më i ultë, gjithsej 10 mijë e 220.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi, i cili tha se në secilën komunë që do të ketë rund të dytë të zgjedhjeve vlen lista e qytetarëve të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës nga data e aplikimit 10 korrik deri më 18 gusht.

“Në rundin e parë të zgjedhjeve në kuadër të votimit jashtë Kosovës të drejtën për të votuar përmes postës e kanë pasur më shumë se 15 mijë e 530 qytetarë, ndërkaq në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave i cili mbahet me një numë të caktuar të komunave, këtë të drejtë e kanë më shumë se 10 mijë 220 qytetarë. Pra në secilën komunë ku do të ketë rund të dytë të zgjedhjeve vlen lista votuese e qytetarëve të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit nga data 10 korrik deri më 18 gusht”, ka potencuar ai për KP.

Po ashtu ai shtoi se të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë përmes postës në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

“Të gjithë qytetarët që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të Komunave në rundin e parë do të munden të votojnë përmes postës në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në të cilat do të organizohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave”, ka thënë ai.

Ndërkaq ai kujtoi se fletëvotimet e qytetarëve nga diaspora do të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më datën 12 nëntor.

“Sipas ligjit fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së më së largu deri më datë 12 nëntor. Të drejtën për të votuar gjatë këtij procesi e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat organizohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit nga 10 korriku deri më datë 18 gusht 2021.Pra nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës sepse vlen lista votuese e rundit të parë”, ka shtuar Elezi.

Numri i votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet rundi i dytë është: Gjakovë (1,089), Gllogoc (175), Gjilan (607), Dragash (1,090), Istog (707), Kaçanik (166), Klinë (437), Fushë Kosovë (135), Kamenicë (442), Obiliq (60), Rahovec (382), Podujevë (337), Prishtinë (666), Prizren (921), Shtime (116), Viti (754), Vushtrri (174), Malishevë (714), Junik (1,054), Mamush (192) dhe Kllokot (10).

/Gazeta Sinjali/