Ditën e djeshme, pushtuesit rusë plagosën një djalë gjashtë vjeçar ndërsa bombarduan Toretsk, rajonin e Donetsk, duke e çuar numrin e fëmijëve të prekur nga lufta në 1,073, sipas mediave të vendit.
Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, duke iu referuar prokurorëve për të mitur.
“Më 16 gusht, një djalë, 6 vjeç, u plagos nga bombardimet e artilerisë armike në Toretsk, rajoni Donetsk”, thuhet në deklaratë.
Deri në mëngjesin e 17 gushtit, numri zyrtar i fëmijëve të vrarë ishte 361, ndërsa më shumë se 712 janë plagosur. Këto shifra nuk janë përfundimtare, pasi po punohet për verifikimin e të dhënave që vijnë nga zonat ku vazhdojnë luftimet, territoret e pushtuara dhe të çliruara përkohësisht, thekson prokuroria.
Numri më i madh i fëmijëve të prekur është shënuar në rajonin Donetsk (376), Kharkiv (198), Kiev (116), Chernihiv (68), Luhansk (61), Mykolaiv (60), Kherson (55) dhe Zaporizhia (40).
Në të gjithë Ukrainën, 2,328 objekte arsimore janë dëmtuar nga bombardimet dhe granatimet ruse.
Prej tyre, 289 janë shkatërruar plotësisht.