image Mbappe dhe Giroud protagonistë, Franca mposht Poloninë dhe siguron biletën për çerekfinale

Futboll

Mbappe dhe Giroud protagonistë, Franca mposht Poloninë dhe siguron biletën për çerekfinale

news image

Franca ka triumfuar me rezultat solid ndaj Polonisë në ndeshjen e 1/8 të finales në Botërorin e Katarit 2022.

‘Trekolorët’ kanë fituar me rezultat 3-1, falë një dopiete nga Kylian Mbappe dhe një të Olivier Giroud, teksa për polakët realizoi Robert Lewandowski nga pika e bardhë në kohën shtesë.

Olivier Giroud hapi i pari sfidën duke realizuar në minutën e 44-të, për të shkuar Franca në pjesën e parë me epërsinë e një goli.

Goli i francezit ishte për tu mbajtur mend, pasi theu zyrtarisht rekordin e Thierry Henry, për më së shumti gola të realizuara për Francën, me 52 të tillë.

Në pjesën e dytë, Kylian Mbappe ishte protagonisti kryesor i francezëve, duke realizuar fillimisht në minutën e 74-të për 2-0, teksa në kohën shtesë u përkujdes për të dytin personal të tij dhe të tretin për kombëtaren.

Pak para fishkëllimës së fundit nga gjyqtari, një prekje me dorë në zonë nga Dayot Upamecano bëri që gjyqtari me ndihmën e VAR-it të akordojë penallti për polakët.

Përgjegjësinë e mori sulmuesi Robert Lewandowski, i cili humbi të parën, por referi vendosi që të përsëritej penalltia pas daljes së hershme të futbollistëve në momentin e goditjes së tij, dhe për fat të tij, në të dytën realizoi – por që mbeti vetëm goli i ‘nderit’, pasi menjëherë pas këtij goli, u mbyll ndeshja me rezultatin final 3-1.

Franca kështu kualifikohet në çerekfinale të Botërorit, dhe aty do të takohet me fituesin e duelit Angli-Senegal, që zhvillohet sonte nga ora 20:00.

/GazetaSinjaliSport/