Matthew Palmer i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor është takuar me ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, i cili kishte garuar në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Petroviq përmes profilit të tij zyrtar në Facebook, ka njoftuar për takimin e tij me Palmerin, por nuk ka dhënë detaje rreth përmbajtjes së takimit.
Petroviq është akuzuar nga Lista Serbe për qasjen e tij ndaj Kosovës. Madje është akuzuar se po punon kundër interesave të Serbisë dhe e kanë quajtur edhe si “njeri të shitur të Perëndimit”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me Rashiqin dhe Petroviqin, por jo edhe me Listën Serbe në formimin e qeverisë së re.
Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar krerët e të gjitha partive politike në vend, përveç Albin Kurtit, të cilin e kishte takuar të mërkurën në Shkup. /Gazeta Sinjali/