image MASHTI tregon se sa do t'i kushtojë buxhetit të shtetit mësimi në distancë

Kosovë

Arsim/ MASHTI tregon se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mësimi në distancë

news image

Mbi 100 mijë euro do t’i kushtojë Ministrisë së Arsimit për 3 muaj pagesa e personave të angazhuar në procesin e mësimit në distancë. Përveç pagës së rregullt, personat që kanë punuar për realizimin e këtij procesi, do të paguhen shtesë për muajt mars, prill dhe maj të këtij viti. MASHTI, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka bërë të ditur se për mësimin në distancë janë angazhuar 143 mësimdhënës prej tyre, 54 të komunitetit turk dhe boshnjak. Përveç mësimdhënësve, në këtë proces kanë marrë pjesë edhe 49 persona të tjerë si staf mbështetës, 5 prej të cilëve punëtorë të MASHT-it dhe 44 nga drejtoria komunale e Prishtinës dhe e Prizrenit.

“Pagesa mbi pagën bazë e mësimdhënësve që kanë punuar për realizimin e mësimit në distancë bëhet në varësi të angazhimit dhe funksionit duke filluar nga 150,00 euro deri në 300.00 euro për muaj, ashtu siç përcaktohet në vendimin e Qeverisë së Kosovës. Kostoja totale për një muaj që paguan MASHTI –i për të gjithë të angazhuarit në procesin e mësimit në distancë, është në vlerë prej 41,790.00€”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Ndërkaq për stafin civil kjo ministri ka bërë të ditur se kompensimi do të bëhet sipas një vendimi të Qeverisë të nxjerrë në muajin prill, por nuk ka saktësuar koston, raporton Koha.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për “Kohën” se pagesa shtesë e mësimdhënësve është vendim i drejtë por sipas tij, MASHTI do të duhej ta shqyrtonte mundësinë e të kërkojë që edhe mësimdhënësit tjerë të cilët nuk kanë marrë pjesë në video-incizime të shpërblehen. Kjo, pasi siç është shprehur, nuk ka qenë e lehtë të angazhohen me nxënës nga shtëpia përmes aplikacioneve online.

Më 11 mars Qeveria ka marrë vendim ta pezullojë procesin mësimor në të gjitha nivelet për shkak të pandemisë Covid-19. Me organizim të Ministrisë së Arsimit, në javën e fundit të marsit, mësimi për klasat 1 deri në të 9 ka nisur nga distanca përmes video-incizimeve të transmetuara në Radiotelevizionin e Kosovës dhe në platformat e MASHT-it.

Ndërkaq, shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të lartë e kanë organizuar vetë procesin mësimor përmes disa platformave online. Bazuar në kalendarin e vitit shkollor, maturantët e kanë përfunduar mësimin më 20 maj, klasat 9, 10 dhe 11 do ta përfundojnë më 11 qershor derisa klasat 1 deri në 8 do ta përfundojnë më 26 qershor. /Gazeta Sinjali/