Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë të ditur se sot në të gjitha komunat e Kosovës ka filluar mësimi plotësues, përveç në Komunën e Malishevës dhe atë Junikut.
Dy komunat e lartëcekura nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat dhe në këto komuna mësimi pritet të fillojë gjatë javës.
MASHTI përmes një komunikate për media njofton se ka kontaktuar sot të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe sipas raportimeve, procesi i fillimit të përgatitjeve në shkolla për Testin e Arritshmërisë ka shkuar sipas kalendarit të përshtatur nga kjo ministri për përfundimin e vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19.
“Paraprakisht, sipas deklarimeve të përgjegjësve të arsimit nëpër komuna, është bërë edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe janë siguruar dezinfektues dhe maska në shkolla dhe po zbatohen rekomandimet e IKSHP-së. Mësimi plotësues për përgatitje për Testin e Arritshmërisë do të zgjasë deri më 19 qershor, ndërsa Testi do të mbahet më 23 qershor 2020”, thuhet në njofitm. /Gazeta Sinjali/