image MASHTI s'heq dorë: Të shtunën do të ketë mësim

Arsim

MASHTI s’heq dorë: Të shtunën do të ketë mësim

news image

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se këtë të shtunë do të mbahet mësimi për nxënësit e klasave 1-8.

“Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive MAShTI e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime. Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Sipas MAShTI-t, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është qëllimkeq dhe tendencioz.

“Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz”.

Gjatë një muaji të grevës, sipas MAShTI-t, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi, apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. MAShTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar”, thuhet tutje.

Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.

“Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin para universitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”.

/GazetaSinjali/