Arsim/ MASHT tha se nuk ka informacion, drejtoria e arsimit në Kamenicë tregon se a filloi a jo gjysmëvjetori i dytë

news image

Gjysmëvjetori i dytë në arsimin parauniversitar në Kosovë, ka filluar këtë të hënë.

Mësimi filloi në të gjitha komunat, përfshirë edhe Komunën e Kamenicës, në të cilën ka muaj që ka filluar reforma në arsim, dhe për të cilën Ministria e Arsimit tha se nuk ka informacione nëse ka filluar ose jo gjysmëvjetori i dytë.

Fillimin e gjysmëvjetorit të dytë në shkollat e Kamenicës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Mirhane Morina, e cila është ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.

Morina tha se mësimi ka filluar në të gjitha shkollat, përveç dy shkollave të cilat janë ndarë në cikle.

“Periudha e dytë mësimore, siç është përcaktuar nga vetë Ministria, ka filluar ditën e hënë edhe në Komunën e Kamenicës. Veçantia e këtij fillimi, është se Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Abdullah Krashnica-Presheva” dhe “Rexhep Mala”  janë ndarë në cikle, e para është shkollë fillore, nderkohë që e dyta shkollë e mesme e ulët. Në këto shkolla mësimi nuk ka filluar sot”, tha ajo.

U.d. së drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë shtoi se transporti është siguruar nga Komuna dhe u shpreh optimiste se ky ndryshim do të ketë përparësi të shumta për nxënësit, mbi të gjitha

“Është zbatim i Udhëzimeve Administrative që ka nxjerrë MAShT për ndarjen e cikleve, raportin mësimdhënës nxënës dhe për sigurim të cilësisë, të cilat e obligojnë për zbatim Komunën”, përfundoi Morina. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin