Përkundër vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, për ndërprerjen e procesit mësimor në të gjithë vendin, shkollat në komunat veriore të Kosovës nuk e kanë respektuar një gjë të tillë.
Të gjitha shkollat më veri janë të hapura dhe procesi mësimor po vijon normalisht.
Lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët u kanë bërë thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa urgjente që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është masë adekuate parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik dhe në këtë drejtim, çdo tentativë për politizim të çështjes apo mos-zbatim të këtij vendimi, i cili ka karakter obligativ, është i papranueshëm dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/