Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar pas përjashtimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
Në komunikatën e MASHT thuhet që për një vendim të tillë janë njoftuar nga raportimet e mediave, dhe për këtë arsye sot edhe i kanë drejtuar një shkresë zyrtare ENQA’s, për të kërkuar detaje se mbi bazën e cilave të gjetura është marrë një vendim i tillë.
Ndërsa për përjashtimin e Kosovës nga ENQA ka reaguar sot edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se ndiejnë keqardhje për një zhvillim të tillë.
Reagime pas përjashtimit të Kosovës ka pasur edhe nga profesorë e njohës të arsimit, të cilët kanë thënë se lajmi për përjashtimin e Kosovës edhe nga ENQA është një prej më të këqijve në 20 vjetët e fundit.
Njoftimi i plotë i MASHT:
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.
Megjithatë, MAShT për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar. Prandaj, sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim.