Një propozim i ri për masat e reja antiCOVID është dhënë sot nga Ministria e Shëndetësisë, por të cilat pritet të votohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se pritet të ketë ndryshime në orarin e lëvizjes. Nga masat e reja që pritet të merren, ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 21:30 në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në, mënyrë te përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00 deri 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Siç mëson Sinjali, komunat që tashmë kategorizohen në tri grupe, do të lëvizin si më poshtë.
Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të gjelbër).
Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të verdhë).
Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të kuqe).
Në baza javore, siç mëson Gazeta Sinjali nga burimet, çdo të premte, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.
Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):
Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,
Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,
Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.
Gazeta Sinjali gjithashtu ka mësuar se procesi arsimor në institucionet parauniversitare, publike dhe private, për gjysmëvjetorin e dytë fillon më datë 18 janar 2021 dhe organizohet sipas planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.