Masat anti-COVID do të vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta me ato të miratuara më 27 shtator.
Në takimin e mbajtur mes u.d së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe përfaqësuesit të Asociacionit të Komunave të Kosovës kanë diskutuar për masat antiCOVID.
Ndryshim pritet të ketë në orarin e kufizimit të lëvizjes dhe në atë të gastronomisë.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Sinjalin se në këtë takim kanë marrë pjesë vetëm dy kryetarë komunash, pasi MSh-ja nuk ka njoftuar me kohë për takimin e sotëm.
Ai ka deklaruar se komunat kanë propozuar që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSh-ja.
“Takimi ishte informues, jo koordinues. Kanë marrë pjesë vetëm kryetari i Mamushës dhe Suharekës. Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai tha se në takimin e sotëm AKK-ja ka paraqitur edhe listën e shteteve në të cilat nuk ka orë policore dhe maskat nuk janë të obligueshme në ambiente të jashtme, por që nuk është marrë parasysh nga Gexha-Bunjaku.
Masat e diskutuara sot, pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës./GazetaSinjali/