image Marrëveshja për ndërprerjen e grevës, Trepça publikon detajet e dakordimit me minatorët

Kosovë

Marrëveshja për ndërprerjen e grevës, Trepça publikon detajet e dakordimit me minatorët

news image

Greva e minatorëve të Trepçës e nisur para 11 ditësh, ka marrë fund mbrëmë pas mesnate, raporton Gazeta Sinjali.

Ndërmarrja ‘Trepça’ ka publikuar detaje nga marrëveshja e arritur me minatorët, me të cilët janë pajtuar që t’i realizojnë tri nga katër kërkesat e tyre.

Minatorët kanë dërguar një letër drejtuar Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, ku kanë paraqitur kërkesat e tyre për ndërprerjen e grevës.

Me anë të kësaj kërkese ju lutemi që të gjeni kohën tuaj të takohemi dhe të arrijmë një marrëveshje lidhur me këto pika:

  • Paga  eminatorit prej 6-10 të muajit
  • Të shpallet konkursi i KE-së
  • Të përmirësohen kushtet e sigurisë dhe
  • Të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës

Në përgjigjen e publikuar nga Trepça, Bordi i Përkohëshëm i Drejtorëve ka shprehur pajtueshmërinë për kërkesat e minatorëve.

Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1, 2 dhe 3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijmësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në përgjigjen e Bordit.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Kusari – Lila tha se marrëveshja është arritur në bazë të kërkesave të minatorëve, me përjashtim të shkarkimit të ud. drejtorit të përgjithshëm.

“Po, është ndërprerë greva në 02:00 të mëngjesit. Marrëveshja është arritur në bazë të kërkesave, me përjashtim të shkarkimit të ud.drejtorit, por shpallja e konkursit të rregullt për drejtor të përgjithshëm të Trepça SH.A. Ndërsa natyrisht ministria e ka marrë përsipër obligimin që çdo muaj, prej datës 6 deri në 10 me u kry ekzekutimi i pagave dhe puna e kushteve, siç e kam cekur në Kuvend. Unë nuk kam qenë mbrëmë, por kam qenë në kontakt me deputetët që kanë qenë atje”, tha Kusari – Lila për Sinjalin.

Ndryshe, minatorët u futën në kërkim të kushteve më të mira të punës., duke kërkuar realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.

Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

/GazetaSinjali/