image Kusari-Lila flet për Sinjalin, tregon marrëveshjen e arritur me minatorët e Trepçës për ndërprerjen e grevës

Kosovë

Kusari-Lila flet për Sinjalin, tregon marrëveshjen e arritur me minatorët e Trepçës për ndërprerjen e grevës

news image

Pas 10 ditësh të ngujuar në minierë, minatorët e Trepçës mbrëmë në mes të natës kanë ndërprerë grevën që kanë nisur nga 24 tetori, pas një takimi që kanë pasur me disa deputetë të Vetëvendosjes, përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes Trepça dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari – Lila ka dhënë detajet e marrëveshjes që është arritur, raporton Gazeta Sinjali.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Kusari – Lila tha se marrëveshja është arritur në bazë të kërkesave të minatorëve, me përjashtim të shkarkimit të ud. drejtorit të përgjithshëm.

“Po, është ndërprerë greva në 02:00 të mëngjesit. Marrëveshja është arritur në bazë të kërkesave, me përjashtim të shkarkimit të ud.drejtorit, por shpallja e konkursit të rregullt për drejtor të përgjithshëm të Trepça SH.A. Ndërsa natyrisht ministria e ka marrë përsipër obligimin që çdo muaj, prej datës 6 deri në 10 me u kry ekzekutimi i pagave dhe puna e kushteve, siç e kam cekur në Kuvend. Unë nuk kam qenë mbrëmë, por kam qenë në kontakt me deputetët që kanë qenë atje”, tha Kusari – Lila për Sinjalin.

Ndryshe, minatorët u futën në kërkim të kushteve më të mira të punës., duke kërkuar realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.

Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

/GazetaSinjali/