Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për në Detusche Welle, ka deklaruar se nuk ka mbetur edhe shumë kohë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Përmes këtyre deklaratave kryeministri Kurti i është përgjigjur edhe deklaratës së të dërguarit të BE-së Miroslav Lajçak që mundësia e anëtarësimit të Kosovës në BE do jetë jashtë tavolinës nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në maj të vitit 2024.
“Jam dakord që nuk kemi shumë kohë dhe jetojmë në kohë jo vetëm të rrezikshme, por edhe të paparashikueshme. Prandaj, nuk jam i sigurt nëse kemi edhe dy vjet kohë. Duhet ta bëjmë sa më shpejt atë. Dhe për këtë jam gati të angazhohem në mënyrë konstruktive në bisedimet në Bruksel sa herë që ata të na ftojnë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka thënë se dialogu në Bruksel duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Relacionet midis Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale por ne duhet t’i normalizojmë, dhe dialogu është rruga. Dhe ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke”.
Ndërkohë, në Raportin e Progresit të publikuar këtë javë nga Komisioni Evropian, i është kërkuar palëve që të arrijnë sa me parë një marrëveshje finale.