image Marramendja dhe sëmundja e veshit të mesëm

Marramendja dhe sëmundja e veshit të mesëm

news image

Kur flasim për problem të veshit të brendshëm, marramendja vjen kryesisht në moshën 40-60 vjeç.

Marramendja, e njohur ndryshe si vertigo është ndjesia humbjes së ekuilibrit ose çrregullimit të orientimit në hapësirë. Ndjesia e trullosjes me raste është e zakonshme. Njerëz të ndryshëm mund të përjetojnë ndjesi të lehta të marramendjes. Por, nëse marramendja ndodh shpesh, ju e humbisni ekuilibrin dhe mund edhe të rrëzoheni, ose keni dhe shqetësime të tjera, atëherë duhet të vizitoheni patjetër tek një mjek.

Rastet për të shqetësuar janë edhe kur një person humb vetëdijen ose i bie të fikët. Për trajtimin e marramendjes është shumë e rëndësishme që fillimisht të kuptoni shkaktarin, për shembull, nëse vjen si pasojë e diabetit apo uljes së tensionit të gjakut.

Duke gjetur shkakun dhe trajtuar atë (mbajtjen nën kontroll të diabetit apo parandalimin e uljes së tensionit), trajtoni edhe marramendjen. Nëse dyshohet për ndonjë infeksion bakterial në vesh, zakonisht rekomandohen antibiotikët, sigurisht me recetë nga mjeku.

Gjendja e të fikëtit nuk mund të shmanget gjithmonë, megjithatë duke u kujdesur për shëndetin e përgjithshëm me një dietë të shëndetshme dhe duke kryer ushtrime fizike, mund të ulni rrezikun e marramendjes.

Shmangia e stresit është gjithashtu shumë e rëndësishme. Merrni në konsideratë teknikat e relaksimit dhe mos u ndieni në presion.

Në një intervistë për gazetën Shëndet plus, mjekja ORL Anjeza Kuçi, flet pikërisht për marramendjen, çfarë do të thotë kjo gjendje kur vjen pas një ekspozimi të gjatë në diell, apo situata të tjera.

– Doktoresha, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të të nxehtit pacientët ankohen shumë për marramendje apo këputje, a janë këto gjendje shprehje e një patologjie apo janë gjendje normale të lidhura me temperaturat e larta?

Kur kemi marramendje, nuk mund ta vëmë direkt diagnozën nëse kemi apo jo problem të veshit të mesëm, meqë një pjesë e mirë e mjekëve i orientojnë pacientët drejt ORL-së. Gjatë qëndrimit të gjatë në diell, qytetarët ndjejnë këputje, e cila mund të jetë një lipotimi nga rënia e tensionit, për shkak të temperaturave të larta. Kështu që, nuk mund të kalojmë direkt te veshi i mesit. Kur pacientët bëjnë gjendje lipotimie, pra ndjejnë këputje apo marramendje, fillimisht duhet të bëjnë një konsultë me mjekun e familjes për të bërë të gjitha analizat e nevojshme, si: një bilanc gjaku, një bilanc biokimik, për të parë si është gjendja e përgjithshme. Një konsultë, si është zemra dhe tensioni për të ndarë nëse kemi ndonjë problem kardiak që mund të shkaktojë marramendje. Gjendja e lipotimisë, ngjan me simptomatikat dhe të çon drejt veshit të mesëm por nuk është e njëjta gjë.

-A është marramendja gjithmonë shqetësuese?

Marramendja është një syndrome që mund të vijë nga disa probleme. Është shqetësuese sepse pacientit i ndryshon cilësia e jetës, ndonjëherë mund të jetë kërcënuese për jetën. Pacienti e ka të pamundur të ecë, të lëvizë, të kalojë rrugën etj. Kështu që, ajo përshkruhet si një ndjesi shumë e bezdisshme, ndonjëherë shumë e frikshme aq sa pacienti mund të ketë edhe fobi nga marramendja. Atij i krijohet pështjellim në momentin që mendon se mund ti merret mendja.

-Cila është mosha më e predispozuar për të pasur marramendje?

Varet nga se vjen marramendja. Kur flasim për problem të veshit të brendshëm, marramendja vjen kryesisht në moshën 40-60 vjeç, ku është piku i sëmundjes së Menierit apo sëmundjes së veshit të brendshëm që shpesh herë në popullatë njihet si sëmundja e veshit të mesëm. Veç marramendjes, problem kryesor është edhe rënia e dëgjimit sepse mund të kalojë deri në shurdhësi të plotë nga njëri vesh, dhe në 10% të rasteve mund të kapë edhe veshin tjetër.

Por, nuk kemi vetëm sëmundjen e Menierit që shoqërohet me marrje mendsh, të vjella, ndjesinë e veshit të mbushur me ujë, zhurmë në vesh apo humbje të ekuilibrit. Ka edhe probleme të tjera si: Vestibulopatia periferike, që mund të kapë të dy veshët, pa prekur pjesën e dëgjimit; Vertigo beninje e pozicionit e cila ndodh në lëvizjen e kokës në krevat majtas apo djathtas.

Pra, kemi një marramendje e cila mund të zgjasë me sekonda, ose kur pacienti ul kokën poshtë, ose e ngre kokën sipër. Ka dhe sëmundje të veshit të mesit që mund të sjellin marramendje si: otoskleroza e cila mund të shoqërohet me marramendje dhe rënie të dëgjimit dhe me ngurtësim të kockave të dëgjimit në hapësirën e veshit të mesëm; Otitet media kronike të riakutizuara , labirintitet; Mund të jenë në kuadrin e gjendjeve virale neuronitet vestibulare, të cilat shoqërohen me një marramendje të fortë, që prek në mënyrë selektive vetëm nervin e ekuilibrit në njërin nga veshët dhe nuk shoqërohet me rënie dëgjimi; Sinusitet kronike të riakutizuara që shoqërohen edhe me dhimbje koke dhe sekrecione purulente nga hundët.

Dieta

Për pacientët e diagnostikuar me problem të veshit të brendshëm, e cila nuk na kompromenton jetën, por është sëmundje kronike, do t’i sugjeroja që të bënin një jetë sa më të shëndetshme gjatë periudhës së plazhit dhe dieta që do rekomandoja është: Dietë pa alkool, duhan, pa kripë dhe pa kafeine, pra një përdorim sa më të reduktuar të kripës dhe substancave me kafeinë si kafe, çajra të ndryshëm, koka kola, çokollatë, pije energjike etj.

Këshilla

-Si të veprojmë kur kemi marramendje?

Te pacientët që kanë marramendje dhe kanë sëmundje sistemike, do të rekomandoja që t’i mbanin nën kontroll sëmundjet sistemike që kanë. Pra, pacientët që kanë tension, diabet, probleme të shtyllës kurrizore, apo dhe probleme autoimunime që prekin veshin e mesëm, si: artriti rheumatoid, spondiliatroza, sëmundje të tjera reumatizmale, që shoqërohen me prekje të veshit të mesëm. Këta pacientë të bëjnë një kontroll periodik te mjeku dhe të mos dalin në temperature të larta. Tani gjatë pushimeve, të bëjnë kujdes që të mos ekspozohen gjatë pikut të vapës. Kur kemi një krizë duhet të paraqitemi në urgjencë për të bërë matjen e parametrave vitale, për të përcaktuar nëse është një sëmundje centrale pra një patologji centrale si nga truri apo vjen në kuadrin e sëmundjeve të tjera sistemike. Dhe në momentin që ngelet një sëmundje periferike do kalojë nga mjeku ORL për të parë pjesën e marramendjes që vjen nga veshi i brendshëm apo i mesëm. Diagnostikimi bëhet me otoscopi, audiograme dhe video nistagmografi që është metoda e fundit ekzaminuese për të ndarë një patologji centrale me një periferike nga veshi.

Ekzaminimet për zbulimin e shkakut të marramendjes

Marramendja gjithashtu mund të vijë nga: çrregullimet kardiake; çrregullimet hypertensive; problemet e spondiliartrozës cervikale, osteoporozës , artritit reumatoid; pacientët diabetike, shfaqen problem të dëgjimit dhe të ekuilibrit; Sëmundjet neurologjike sistemike, degjenerative si skleroza multiple, migrena dhe dhimbjet kronike të kokës; Anemitë mund të shoqërohen me marrje mendsh; Ototoksiciteti apo dëmtimi i nervit të dëgjimit apo ekuilibrit nga medikamente si antibiotikë, antihipertensive, diuretikë etj; Patologjitë e tiroides mund të shoqërohen me marrje mendsh; Niveli i ulët i vitaminës D në organizëm etj.

Pra, në kuadrin e sëmundjeve sistemike është shoqëruese e sëmundjeve të tjera dhe gjithsesi me mjekun ORL duhet bërë një diagnozë diferenciale nëse është edhe një problem periferik ORL që prek nervin e ekuilibrit. Ndërkohë, gjenetika është shumë e rëndësishme te marramendja. Te pacientët e rinj sidomos duhet të na shkojë mendja te trashëgimia në një familje ku prindërit apo edhe njerëz të tjerë të afërt vuajnë nga problemet e veshit të brendshëm, si marrje mendsh, të vjella, rënie dëgjimi, zhurmë në vesh, të cilat ndonëse më parë të padiagnostikuara mbahen mend gjatë nga familjarët e tyre.

Janë dhe raste sproadike. Në momentin, që ne i kemi përjashtuar të gjitha diagnozat e tjera, sepse do bëjmë ekzaminime, analiza laboratorike, ekzaminime imazherike, video nistagmografi, audiometric deri te rezonanca magnetike e kokës, ngelet pastaj marramendja e sferës psikiatrike. Ka dhe një grup të madh, që i takojnë sferës psikiatrike./Dita/