Marina britanike njofton se sekuestroi një sasi të madhe lënde narkotike sintetike në një anije të vogël mallrash në Detin Arabik.
Qindra kilogramë metamfetaminë u gjetën të fshehura në ngarkesën e varkës, në një operacion nga ushtarët e “HMS Montrose”, që zgjati pothuajse 6 orë.
Sipas komandës drejtuese të fregatës “HMS Montrose”, sekuestrimi i drogës është një goditje e rëndë për grupet kriminale dhe terroriste të cilat i përdorin të ardhurat nga shitja e lëndëve narkotike për të financuar aktivitetet e tyre.
Një zëdhënës i marinës shpjegon se gjatë operacionit u dërgua dhe një helikopter që të ndiqte varkën ndërkohë që komandot më pas hipën në bordin e saj për të marrë kontrollin.