Maqedonia e Veriut ka blerë tre sisteme të lëvizshme vëzhgimi dhe vrojtimi nga seria MUSON – MUSON 20FM, i zhvilluar nga kompania bullgare Opticoelectron, raporton faqja BulgarianMilitary.com.
Faqja citon një përfaqësues zyrtar të Opticoelectron, por nuk jepen detaje nga vlera e marrëveshjes, ani se bëhet me dije se negociatat tashmë janë duke u zhvilluar për një blerje të dytë të të njëjtave sisteme.
Sistemet e fituara do të përmirësojnë efektivitetin e mbrojtjes së kufirit të Maqedonisë së Veriut. Vendi u pranua në NATO në mars 2020 dhe aktualisht është kufiri i jashtëm i Ballkanit me Kosovën dhe Serbinë. Sistemi i ri do të sigurojë mbikëqyrjen e afro 150 km të kufirit tokësor të vendit.
“Këtë sistem e përdorin edhe rojet kufitare bullgare dhe deri më tani MUSON kanë blerë disa vende skandinave dhe të Europës Qendrore. Kemi pyetje nga Lindja e Mesme dhe Afrika, negociatat janë duke u zhvilluar, por deri më tani nuk mund të shpallim marrëveshjen e radhës para se të bëhet fakt, ” tha Boyan Garchev, zyrtar i prokurimit i Opticoelectron.
MUSON 20FM është një konfigurim i integruar i një sistemi me shumë sensorë me kamera ditore dhe termike/IR me rezolucion të lartë dhe imazhe grafike të qarta. Ai mund të regjistrojë video, si dhe të regjistrojë momente të caktuara në formën e fotografive, dhe më pas të ruhet në infrastrukturën e arkivit të konfigurimit. Sistemi ka një arkitekturë të hapur, e cila lejon integrimin e përditësimeve ose modernizimeve të ndryshme, si dhe një lidhje autonome me çdo sensor të lëvizjes së tokës që mund të aktivizojë automatikisht sistemin nëse është në qetësi.
Gama e këtyre pajisjeve optike është 20+ km. Një kullë teleskopike ngre të gjithë sistemin multisensional në një lartësi të caktuar, duke i mundësuar kështu operatorit të marrë një pamje 360 gradë të mjedisit përreth. Sistemi ka një stabilizues, i cili siguron funksionimin e tij të qetë gjatë vozitjes në zona të vështira për t’u arritur dhe jashtë rrugës. MUSON 20FM ka furnizimin e vet të pavarur me energji elektrike. I gjithë sistemi kontrollohet nga një tastierë kontrolli e kompjuterizuar.
MUSON 20FM, sipas Opticoelectron, mund të integrohet në shumë modele automjetesh.