image Maqedoni e Veriut, nëse masat e reja s’kanë efekt, kthehet karantina

Rajon

Maqedoni e Veriut, nëse masat e reja s’kanë efekt, kthehet karantina

news image

Në Maqedoninë e Veriut, repartet e sëmundjeve infektive janë duke u mbushur me shpejtësi, madje Kumanova, Strumica dhe Velesi kanë mbetur pa vende të lira dhe janë detyruar që 18 pacientë me COVID-19 t’i dërgojnë në spitalet e Shkupit.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se ditët e fundit më shumë pacientë janë duke u pranuar në spitale sesa duke u lëshuar.

Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup ka edhe 10 vende të lira, ndërsa mundësitë janë të mëdha të aktivizohet edhe spitali i improvizuar.

“Spitali modular pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive është gati dhe mund të jetë në funksion. Kemi edhe kuadër të gatshëm të menaxhojnë fizikisht punën e pacientëve që do të vendosen atje. Pajisjet tashmë janë vendosur, dhe menjëherë mund të vihen në punë.” tha Filipçe.

Përveç plotësimit të kapaciteteve, problem është edhe largimi i mjekëve dhe infermiereve nga repartet e sëmundjeve infektive në klinikat shtetërore në spitalet private. Një mjeke nga Klinika e Sëmundjeve Infektive dha dorëheqje, ndërsa përfundimisht largohen edhe tre infermieret që nuk u bindën as nga takimi me ministrin. Njoftim për largim ka edhe nga shefja e repartit të infektologjisë në spitalin “8 Shtatori”.

“Këta mjekë janë të mjaftueshëm, por ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë me sistemin e rotacionit nëse ndonjë repart ka nevojë për mbështetje. Unë bisedova me ta. Disa prej tyre janë të lodhur, disa të tjerë kanë arsye të tjera, vërtetë e kam vështirë ta them saktësisht.” theksoi Filipçe. /Gazeta Sinjali/