image “Mama të dua, s’mund të marr frymë, po më mbysin” - Pamje të reja ku George Floyd i lutet policisë të mos e vrasë

Botë

“Mama të dua, s’mund të marr frymë, po më mbysin” – Pamje të reja ku George Floyd i lutet policisë të mos e vrasë

news image

Është publikuar videoja e vdekjes së George Floyd, i cili shihet teksa i lutet policisë të mos e qëllojë. Ai u ndalua nga policia pas një denoncimi se kishte blerë në market me 20 dollarë false.

Videoja është paraqitur e plotë sot në seancën gjyqësore ku ish-oficeri Derek Chauvin është i akuzuari kryesor për vrasje me dashje.

Oficeri i drejton armën gjithë kohën George Floyd teksa ky i fundit i thotë se nuk është djalë i keq: “Të lutem mos më gjuaj”.

Në momentin që policët e nxjerrin nga makina e tij dhe tentojnë ta fusin në makinën e policisë, ai dëgjohet duke thënë se është klaustrofobik, dhe se duhet ta lënë pak sekonda të mbushet me frymë: “Unë po vdes, prisni, unë nuk mundem, nuk jam djalë i keq”.

Në këtë moment oficeri me dy të tjerë e shtrijnë Floyd në tokë dhe Derek Chauvin i vendos gjurin në pjesën e qafës. George Floyd po përsëriste se nuk po mbushej dot me frymë, ndërsa përmendi nënën e tij disa herë: “Të dua mami, nuk marr dot frymë”.

Ndërkohë, një dëshmitar i cili ka qenë edhe pjesë në gjykatë, ka thënë se e kishte parë me sy gjithë ngjarjen, madje, shihet i pranishëm edhe në videon e mëposhtme.

Ai thotë se e dëgjoi Floyidin duke thënë, “Mama s’mund të marrë frymë, po më mbysin”.

Juristët panë videon e plotë, ndërsa gjyqi i vrasjes së tij vijon në ditën e tretë. Chauvin 45 vjeç, përballet me tre akuza: për vrasje të shkallës së dytë dhe të tretë si dhe akuzën veç për vrasje të shkallës së dytë. Prokurorët thonë se qëndrimi i tij shtrirë me këmbën mbi qafë zgjati 9 minuta e 29 sekonda.

Nga ekspertiza ka rezultuar se në trupin e George Floyd kishte prani të fentanyl dhe metamfetaminë. Ndërkaq, shitësi i cili njoftoi menaxherin dhe ky i fundit policinë për blerjen me para false nga ana e Floyd ka treguar se ai dukej që kishte konsumuar lëndë narkotike, por që ishte një njeri pozitiv.

Vdekja e Floyd më 25 maj 2020 shkaktoi protesta në të gjithë botën lidhur mbi racizmin dhe brutalitetin e policisë në të gjithë Amerikën. Dhe me gjasë ndikoi edhe në largimin me votë nga presidenca të Donald Trump.

Avokatët e Chauvin thonë se George Floyd nuk ndërroi jetë nga gjuri i oficerit por nga droga, sëmundja e zemrës, presioni i lartë i gjakut dhe adrenalina.

Çështja vijon në gjykatë. /Gazeta Sinjali/