image “Malli i fëmijëve e lotët e mi, uroj t’ia zënë frymën”, gruaja e 32-vjeçarit e mllefosur pasi polici që ia vrau burrin kërkon ulje të dënimit

Sociale

“Malli i fëmijëve e lotët e mi, uroj t’ia zënë frymën”, gruaja e 32-vjeçarit e mllefosur pasi polici që ia vrau burrin kërkon ulje të dënimit

news image

Ish-rreshteri policor në Suharekë, Shefki Spahiu, u dënua me burgim të përjetshëm më 24 shtator të vitit 2020 për vrasjen e Jetmir Aliajt më 17 mars të vitin 2019, në një kazino në Suharekë me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Lidhur me këtë vendim, në Gjykatën Supreme është mbajtur seancë publike, pas ankesës së avokatit të Spahiut, i cili ka thënë se Gjykata Themelore e Prizrenit e ajo e Apelit kanë bërë shkelje të shumta.

Avokati i Spahiut ka kërkuar që atij t’i ulet dënimi dhe të kundërshtohet vendimi për burgim të përjetshëm, për shkak të shkeljeve të shumta që sipas tij janë bërë ndaj klientit që mbron.

Me këto pretendime nuk po pajtohet familja e viktimës. Në një prononcim për Gazetën Sinjali gruaja e Aliajt tha “është shumë e qartë CD-ja ku shihet se është kryer vrasja” e burrit të saj,

“Unë e kuptoj që avokati e ka punë ketë por nuk arrij të kuptoj se si e mbron me zemër një kriminel që vrau një të ri të pafajshëm në vendin e tij të punës për përfitime personale pastaj nuk kuptoj se shume e kjart është CD-ja kur është kryer vrasja dhe prape mundohen të kërkojnë material për ulje të dënimit”, tha ajo.

E emocionuar dhe shumë e mllefosur ajo shton se “dënimi i duhur për të është ekzekutimi por diçka afër tij është dënimi me burgim të përjetshëm”.

Gruaja e 32-vjeçarit shtoi se nuk duhet t’i ulet dënimi të akuzuarit vetëm se është penduar për veprën që ka kryer.

“Kinse i akuzuari u pendua për vrasjen edhe nëse pendohet çka? Me atë fjalë gojë t’i ulet dënimi a? Ai është dashur të pendohet në momentin që është kryer vrasja e jo duke u munduar t’i fsheh provat dhe duke e kontrolluar kuletën e bashkëshortit tim, tanimë të ndjerë”, shtoi ajo.

Madje ajo ka një lutje publike për këtë rast tragjik për të cilin thotë se e ka shkatërruar atë.

“Kisha bërë lutje publike mos luani me ndjenjat e tona, kemi dhimbje të madhe në shpirt dhe ende po vazhdoni të hidhni krip mbi varr. Turp nëse një gjë e tillë ndodhë. Unë nuk dorëzohem kam fëmijët qe me mbajnë gjalle dhe janë drita syve te mi. Kurse për atë ndyrësirë kam një urim, uroj që malli i fëmijëve dhe lotët e mi t’ia nxajnë frymën dalëngadalë“, përfundoi ajo për Sinjalin.

/GazetaSinjali/