image Macroni flet për negociatat me Shqipërinë, i shqetësuar për ndikimin rus në Serbi

Rajon

Rajoni/ Macroni flet për negociatat me Shqipërinë, i shqetësuar për ndikimin rus në Serbi

news image

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duket se nuk është më aq skeptik në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai është shprehur optimist gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Sigurisë që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë se është gati të mbështesë procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

“Ne po presim raportin në Mars, në varësi të faktit se nëse rezultatet janë pozitive dhe fitohet besimi, atëherë ne do të mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi Macroni, raportojnë mediat në Shqipëri.

Më tej, kreu i Francës theksoi se ka një shqetësim nga ndikimi kinez dhe rus në gjashtë shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në bllok si Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut, ndaj theksoi ai është e gabuar t’i bllokosh këto shtete në rrugën e Bashkimit Evropian.

Këtë muaj, Komisioni publikoi metodologjinë e re të zgjerimit, bazuar në propozimin francez, që parashikon edhe ngrirjen e negociatave nëse vendet aspirante nuk shënojnë progres.

Gjatë tetorit të vitit të shkuar, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, theksoi se para se Bashkimi Evropian të fokusohet tek zgjerimi, duhet pikë së pari të punojë fort për reformimin e vetë BE-së, duke paralajmëruar edhe ndryshim të metodologjisë për vendet kandidate për në union.

Tashmë duket se kjo qasje e Francës ka ndryshuar dhe Macroni la të kuptohet nga Konferenca për Sigurinë në Mynih të Gjermanisë se ai nuk do të “luajë” rolin e bllokuesit për aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Euronews Albania” ka zbardhur të detajuar prononcimin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, lidhur me qëndrimin e tij mbi procesin e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Prononcimi i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron:

Pyetje: Tani që Komisioni Evropian ka rishikuar metodologjinë për zgjerimin e BE-së, a do ta heqë Franca veton për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nëse po kur?

Macron: Pikë së pari nëse më autorizoni, e kundërshtoj termin ‘veto-ja’ franceze sepse nuk më pëlqen ky term. Nuk duhet ndonjë kurajë e madhe të fshihesh pas Francës kur nuk ka marrëveshje, por kjo nuk është për çështjen e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por dua të shtoj diçka: shumë vende ishin kundër çeljes dhe unë mendoj se do të kishte qenë një gabim madhor ndarja e dy vendeve para çeljes së negociatave.

Unë thashë që ka një para-kusht, na duhet të ndryshojmë rregullat e zgjerimit që është shumë burokratik dhe jo mjaftueshëm transparent prandaj duhen ndryshuar rregullat. Ne duhet të flasim për zgjerimin por kjo temë duhet të jetë më e qartë dhe më e kthyeshme. Na duhet të jemi të aftë të ecim më shpejt me vendet që shënojnë më shumë përparim, të japim më shumë investime për këto vende që shënojnë suksese, por duhet edhe të largohemi nga kjo gjë nëse e shohim se nuk funksionon. Ajo që duhet është që të mund të bëjmë edhe hapa pas nëse nevojitet. Pra ky ishte kushti ynë.

Por unë jam shumë i vendosur dhe duhet të jemi striktë këtu, kur flasim për aspektin e reformave, dhe do të shohim në Mars çfarë do të thotë Komisioni, çfarë progresi presim ne që këto vende të bëjnë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, unë kam folur për parakushtet dhe nëse rezultatet janë pozitive, nëse krijohet besim se kjo funksionon, atëherë do të mund të jemi të aftë ti nisim negociatat.

Por, ka dy gjëra që duhet t’i keni parasysh, fillimisht qëllimin strategjik që ne ndjekim në Ballkanin Perëndimor sepse kemi nevojë t’i mbajmë dhe t’i ankorojmë përfundimisht në Evropë, ky është qëllimi strategjik që unë mbështes edhe kur flasim për zgjerimin apo për metodologjinë që nuk ishte e mire. Unë kam shumë respekt për Presidentin Vuçiq, ai bën një punë shumë të mirë dhe është një udhëheqës i madh, por çfarë ndodh atje vendoset nga Rusia dhe nga Kina dhe jo nga Evropa, pra në fund të ditës nuk ka ndikim në jetesën e përditshme të qytetarëve.

Pra ne duhet të garantojmë investimet në kulturë dhe infrastrukturë, negociatat me Serbinë zgjasin prej pesë vitesh dhe pas dy vitesh mund të themi që Serbia duhet anëtarësuar sepse tani bëhet e padurueshme. Por janë të tjerë që investojnë atje dhe kjo pastaj na kthen në një pozicion teorik në këtë rast.

Nëse duam që Ballkani të përfshihet në Evropë duhet të investojmë në kulturë, gjuhë, infrastrukturë, dhe e di që e kemi bërë nga ana franceze. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë në vend të nisjes së negociatave dhe ka pak hipokrizi këtu. Sepse nisim negociatat dhe pas dyerve të mbyllura ata e dinë se nuk ka shanse që të anëtarësohen për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Kjo nuk është e arsyeshme. Pra ne po tallemi me këta njerëz e kjo është ajo që unë e quaj hipokrizi. Është frustruese për ato vende, ne nuk mund t’ju themi më që ju nuk mund të anëtarësoheni në 10 apo 15 vitet e ardhshme por duhet t’ju themi, po, ju mund të bashkoheni, nëse plotësoni kushtet.

Pyetje: Dhe kur flasim për fqinjësinë ne flasim vetëm për zgjerimin por a mund të funksionojë me kaq shumë vende ? Ne nuk jemi të shpejtë e të zhdërvjellët sa duhet tani e kjo s’mund të funksionojë me më shumë vende, për shembull në politikën e përbashkët të jashtme a mendoni se do të jetë më e lehtë me më shumë anëtarë, për shembull me politikat tona kundrejt Turqisë dhe Rusisë?

Macron: Nuk jemi më konsistentë, ata që thonë që duhet të ecim më shpejt me anëtarët e rinj thonë edhe që nuk duam të shpenzojmë më shumë se 1% të buxhetit. Dhe kështu nuk funksionon. Feta e bukës pritet më e trashë por e lyen edhe me më pak gjalpë. Prandaj strategjia implicite që kemi në Evropë është që Evropa është një treg i madh që po zgjerohet dhe jo një fuqi politike. Një fuqi politike ka preferenca të veçanta dhe duhet të jetë serioze se si sillet me fqinjët dhe nuk është vetëm ideja e zgjerimit sa më shpejt të mundemi./Gazeta Sinjali/