Në shqyrtimin e dytë të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, Shala dhe mbrojtësi i tij, avokati Xhevdet Smakiqi, kanë kërkuar që aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për këtë rast të hudhet poshtë, me arsyetimin se është e pabazuar.
“Aktakuza si dhe dispozitivi i saj, nuk e vërteton apo nuk përkon me elementet qenësore të veprës penale të kanosjes”, deklaroi avokati Smakiqi.
Në anën tjetër, prokurori, Kastriot Memaj, deklaroi se kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës janë tërësisht të pabazuara.
“Konsiderojmë se kërkesat e mbrojtjes duhet të refuzohen si të pabazuara dhe se janë plotësuar kushtet ligjore që në këtë çështje penale pas refuzimit të kërkesave të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor”, tha prokurori Memaj.
Sipas gjykatësit, Njazi Morina, seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së vendimit lidhur me kërkesat për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, ish-deputeti Shala ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 1 shtator 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza e ngritur më 2 korrik 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ngarkon Haxhi Shalën se në gusht të 2020-ës në Kuvendin Komunal në Malishevë, seriozisht kanos personin zyrtar, drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë ashtu që me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, pasi që i dëmtuari Morina merr vendim për anulimin e pëlqimit me të cilin i kishte lejuar kompanisë “Ylli Mineral”, për rregullimin e dokumentacionit me qëllim të shfrytëzimit të gurores në zonën kadastrale Gajrak.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Shala fillimisht e kërcënon përmes telefonit dhe më pas i shkon i revoltuar në zyrë të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “më ke dëmtuar një milion euro që i kam investuar, ke me ma pa sherrin, nëse nuk e tërheq vendimin, deri të premten, ma ke borxh një gjak”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pikërisht të premten i dëmtuari informohet se tre persona kanë qenë në komunë dhe kanë pyetur për të dhe i frikësuar nga fjalët e të akuzuarit dhe interesimi i atyre personave, i dëmtuari shkon në polici dhe në atë moment i akuzuari e telefonon të dëmtuarin duke e pyetur se a e ka tërhequr vendimin dhe me këto veprime tek i dëmtuari shkakton shqetësim dhe frikë.
Për këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/