image LVV i kërkon Hotit të raportojë për 100-ditëshin e qeverisjes

Kosovë

LVV i kërkon Hotit të raportojë për 100-ditëshin e qeverisjes

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti që të raportojë në Kuvend, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë kërkesë e ka bërë anëtarja e kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci, për siç thonë ata, 100-ditëshin e dështimeve dhe dëmeve të pafundme të Qeverisë së jashtëligjshme.

“Pa program të qartë dhe pa vizion, kjo qeveri e futi në kaos shtetin e Kosovës në planin e brendshëm dhe riktheu mendësinë keqqeverisëse, të cilën e kishin ndëshkuar qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Ajo vazhdon të rrezikojë përditë interesat shtetërore, qoftë duke vënë në dyshim sovranitetin dhe integritetin në planin e jashtëm, qoftë duke cenuar karakterin unitar të shtetit përmes planeve për themelimin e “Zajdenicës”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga Vetëvendosje kanë thënë se asnjëherë më parë në një kohë kaq të shkurtër nuk i janë shkaktuar kaq shumë dëme e pasoja vendit.

Në njoftim përmenden pikat ku ata thonë se ka dështuar Qeveria Hoti, ku përfshihen koncesionet me Serbinë, vendimi për heqjen e reciprocitetit me Serbinë, menaxhimi i situatës me pandeminë COVID-19, pakon fiskale emergjente, pezullimi për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, procesi i vetingut dhe pika të tjera.

“Më tej, në planin ndërkombëtar kjo qeveri filloi me pezullimin antikushtetues të së drejtës së Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Kjo u bë sipas interesit dhe kërkesës së Serbisë. Për të vazhduar edhe më tutje shkaktimin e dëmeve për Republikën nga zotimet e njëanshme në takimin e 4 shtatorit për të ndarë shfrytëzimin e liqenit të Ujmanit, pronë e Kosovës, pranimin e marrëveshjes së Novi Sadit, të ashtuquajtur minishengen, devijimin e infrastrukturës hekurudhore, e deri tek qëndrimet se do të zbatohet marrëveshja antikushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.”, thuhet ndër të tjera në postimin e LVV në Facebook. /Gazeta Sinjali/