image LVV dhe LDK pritet të takohen, shansi i fundit për koalicion

Kosovë

Mosmarrëveshja/ LVV dhe LDK pritet të takohen, shansi i fundit për koalicion

news image

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që të takohen sërish. Nënkryetarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri në fund të javës do të takohen me LDK-në për ta shqyrtuar arritjen e marrëveshjes për koalicion, e cila së fundmi ka rrëshqitur drejt dështimit.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Nagavci ka thënë se nuk e di me siguri nëse takimi LVV-LDK do të zhvillohet sot, por deri në fund të javës, një takim ndërmjet këtyre dy subjekteve do të ndodhë patjetër.

“Me LDK-në nuk e di a do të kemi takim sot, por patjetër deri në fund të javës do të ketë takim”, ka thënë ajo.

Nagavci ka treguar se dje kanë pasur një takim me Grupin Parlamentar ku e kanë diskutuar çështjen e koalicionit.

“Dje pasdite e kemi pasë një takim me Grupin Parlamentar. Kemi diskutuar për çështjen e koalicionit”, ka thënë ajo.

Pas mbledhjes së fundit të LDK-së, kryetari i partisë, Isa Mustafa theksoi se ata nuk do të presin më shumë se deri në fund të kësaj jave për t’u takuar dhe për t’u marrë vesh me LVV-në.

Ndërkohë, kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit i kanë mbetur më pak se dy javë për ta dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kabinetin e tij qeveritar. /Gazeta Sinjali/