Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri ka akuzuar kundërkandidatin Alban Hyseni se nuk ka votuar projektligjin për impiantin e ujërave të zeza për këtë qytet.
“Kur ka qenë projektligji i impiantit të ujërave të zeza që ka qenë projekti më i madh i pritur në Anamoravë jo vetëm në Gjilan, me impakt regjional, ne kemi punuar shumë me tri qeveri për ta realizuar. Deputeti i VV-së, kandidat për kryetar të Gjilanit nuk e ka votuar deri sa e ka lejuar partia për ta votuar”, tha Haziri në T7.
“Deputeti Alban Hyseni, i cili edhe sot është deputet, nuk është larguar asnjëherë, nuk e ka votuar ligje sistemor për qytetin e vetë derisa nuk i ka thënë partia me e bo. Kjo ka ndodhur gjatë tërë verës që po e lëmë pas”, theksoi Haziri.
“Kur partia ka vendos para shpërndarjes së parlamentit që me votu një kategori të ligjeve të caktuar në pako në marrëveshje me LDK-në, edhe PDK-në edhe VV-ja atëherë e ka kaluar në seancën e fundit para se me u shpërnda. Ndërkohë kanë humbur javë të tëra për këtë projekt”, tha ai.
Në rundin e parë të zgjedhjeve Lutfi Haziri u rendit i dyti me 18 mijë e 289 ose 43,81%. I pari u votua Alban Hyseni i VV-së me 18 mijë e 550 ose 44,43%. /GazetaSinjali/