image Lushtaku paralajmëron padi ndaj Bislimit, Muratit e Haxhiut

Politikë

Lushtaku paralajmëron padi ndaj Bislimit, Muratit e Haxhiut

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka paralajmëruar se do të paraqesë padi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas përleshjeve fizike në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës më 13 korrik.

Në një konferencë për media të mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Lushtaku tha se hedhja me ujë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrit Bislimi, por edhe vendosja e pankartave, ishte “aksion politik” pas përgjimeve të publikuara.

Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Lushtaku pohoi se është goditur me shishe të mbushur me ujë nga Bislimi, se është shtyrë nga ministrja Haxhiu dhe se është goditur me, siç tha ai, mjet të fortë nga ministri Murati.

“Asnjëherë nuk kisha në plan të kisha reagim të dhunshëm. Veprimi im ka qenë politik dhe si i tillë kam vepruar me gjuajtje të ujit. Mendoj se të gjithë kanë nevojë për një freskim, sidomos kjo Qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë dhe Rusisë sesa vetë Kosovës dhe strategjisë kombëtare. Unë do të padis këta njerëz të sipërpërmendur dhe sigurisht që organet do të japin fjalën e tyre”, tha Lushtaku.

Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Më pas Lushtaku iu afrua foltores dhe gjuajti me ujë, veprim që u pasua nga përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe pjesëtarëve të kabinetit qeverisës.

Kuvendi ndërpreu më pas punimet, duke shkuar në pauzë, pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se nuk ka kushte për të vazhduar seancën.

/GazetaSinjali/