Jehona Lushaku, kryetare e Forumit të Gruas në LDK, ka mbajtur sot konferencë për media. Gjatë kësaj konference ajo foli për gruan shtatzënë që dyshohet se u vra mbrëmë nga ish-bashkëshorti i saj.
Ajo tha se krimet si këto e shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit.
“Krimet monstruoze si ky shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit për të siguruar jetën e grave në Kosovë dhe familjes në këtë rast. Kjo nuk po ndodh për herë të parë, familja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar t’ia ofrojë atë. Ajo ka shkuar në spital për të sjellë një jetë, kurse në spitalin publik e humbi jetën e saj. Familja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë shtetëror”, tha Lushaku.
Ndaj këtij rasti ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësië, Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit pas mbledhjes të grupit të ngushtë ndërministror për raportim, ka thënë se vrasja e dyshimtë është papërgjegjësi e institucioneve dhe papërgjegjësi e prokurorit të rastit, meqë viktima edhe më herët kishte denoncuar dhunën në Polici, por që i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.
Haxhiu ka thënë se rasti tragjik i mbrëmshëm, tregon që duhet ende shumë punë për të bërë, teksa tha se në momentin që dëshmohet se institucionet kanë dështuar ta mbrojnë viktimën, do ketë dorëheqje e shkarkime të personave përgjegjës.