Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se rrugëtimin për zgjedhjet lokale partia e tij e nisi me sfida, e po e përfundon me krenari.
Ai thotë se fitorja në 8 komuna, është arritje jashtëzakonisht e madhe për partinë e tij dhe se pas numërimit të votave të diasporës, LDK-ja sipas tij do ta fitojë edhe Komunën e Dragashit.
“Rrugëtimi ynë i përbashkët deri në zgjedhjet e 17 tetorit e 14 nëntorit është rrugëtim që do ta mbajmë me vete gjatë. E nisëm të vetëdijshëm për sfidat përpara; po e përfundojmë krenarë dhe kokulur për besimin e marrë nga qytetarët tanë. LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku thotë se për rikthimin e LDK-së kanë kontribuuar të gjithë, pavarësisht rezultatit.
“Kryetarët e zgjedhur i uroj, dhe ju uroj shërbim të denjë ndaj njerëzve tanë pa dallim. Siç edhe i uroj të gjithë kandidatët e kandidatet tjera, që pavarësisht rezultatit final, dhanë gjithçka, bënë garë të drejtë e kontribuuan si një familje e vërtetë në rikthimin e madh. Ky rezultat është i të gjithëve; mbesim një familje, mbesim një shtëpi”, ka shkruar Abdixhiku.
I pari i LDK-së thotë se partia e tij do ta vazhdojë punën në rrugën e rigjetur.
Ndërkohë, në raundin e parë të zgjedhjeve LDK-ja fitoi Pejën dhe Lipjanin, ndërkaq në raundin e dytë të zgjedhjeve fitoi Prishtinën, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë dhe Junikun./GazetaSinjali/