Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët si dhe shprehja e gatishmërisë për bashkëpunim të ndërsjellët në trajtimin e sfidave dhe përpjekjeve drejt fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë, ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shefit të EULEX-it.
“Më këtë rast, Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Shefin e EULEX-it me punën, të arriturat, sfidat dhe objektivat e institucionit të Prokurorit të Shtetit. Ndërsa, Shefi i EULEX-it, Wigemark, duke e vlerësuar punën e Prokurorit të Shtetit, tha se institucioni që ai drejton brenda mandatit të vet do të vazhdojë mbështetjen për prokurorinë në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin për media.
Lumezi dhe Wigemark, po ashtu diskutuan edhe se si pandemia COVID-19 ka ndikuar në sundimin e ligjit dhe ecurinë e punëve të gjyqësorit në Kosovë, në veçanti në sistemin prokurorial.
Po ashtu, shkëmbyen mendimet se si të trajtohen vonesat në arritjen e vendimeve përfundimtare në rastet individuale.
Në fund, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vlerësuar lartë rolin e misionit të EULEX-it në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të sistemit prokurorial./GazetaSinjali/