image Lumezi takohet me shefin e EULEX-it, diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

Politikë

Lumezi takohet me shefin e EULEX-it, diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

news image

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, është takuar me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, shkruan Gazeta Sinjali.

Në fokus të këtij takimi ishin procesi i ndryshimeve legjislative, reformat institucionale, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë si dhe diskutimi i çështjeve të tjera me interes.

Me këtë rast Lumezi e ka njoftuar shefin e EULEX-it lidhur me qëndrimet institucionale për këto procese, adresimet që dalin nga rishikimi funksional për sundim të ligjit, sfidat institucionale si dhe angazhimin e institucionit të prokurorit të shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprave tjera penale.

Në këtë kontekst, palët vlerësuan progresin e arritur në fushën e sundimit të ligjit, veçmas në shenjëstrimin e rasteve të reja, me ç’rast u theksua nevoja për një dinamizëm më të shtuar në pasqyrimin real të këtij progresi.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet prokurorisë dhe policisë për ta avancuar punën e prokurorisë.

Të dy e kanë vlerësuar këtë takim mjaft të dobishëm dhe produktiv si dhe shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen. /GazetaSinjali/