Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi është deklaruar pas aksionit policor, ku nën pranga përfunduan tetë zyrtarë policorë, e për të cilët Sinjali raportoi mëngjesin e sotëm ekskluzivisht.
Lumezi tregoi se bëhet fjalë për gjashtë meshkuj dhe dy femra. Pjesë e të arrestuarve ishte edhe një zyrtar policor i komunitetit serb.
“Ky rast është duke u hetuar gati që një vit. Ka kaluar një vit në bashkëpunim me IPK dhe PK, i kemi zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe të vëzhgimit dhe në bazë të informacioneve që i kemi marr nga përgjimet kemi ardhur në përfundim që duhet të fillojnë hetimet edhe për disa persona që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprime të cilat i kanë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë ai.
Lumezi dha detaje edhe për akuzat që rëndojnë mbi zyrtarët policorë të arrestuar.
“Këta 8 persona janë të dyshuar për disa vepra penale: ‘Keqpërdorimin dhe autorizimin’, që është e dënueshme nga 1-8 vite burg, ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’, ‘Ushtrimin e ndikimit’, ‘Lëndim i lehtë trupor, ‘Shitblerjen posedimin e substancave narkotike’”, ka thënë më tutje Lumezi.
Ai njoftoi se Policia e Kosovës sot ka bastisur edhe pronat e disa prej këtyre zyrtarëve.
“Sot me urdhër të prokurorit janë bastisur disa shtëpi të personave zyrtarë. Gjatë këtyre bastisjeve janë konfiskuar nëntë telefona mobil, një veturë dhe disa dokumente dhe raporte zyrtare që do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme penale”, ka thënë ai.